Mexhiti-Stafanson: Formimi sa më i shpejtë i një qeverie të përqendruar në mbrojtjen e vlerave demokratike

13.03.2017 19:59:57

Kryetari i komunës së Çairit dhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, sot në Komunën e Çairit, në sajë të takimeve të shumta që ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian po zhvillojnë me bartësit e proceseve të rëndësishme politike në vend, mirëpriti ambasadorin e Republikës së Suedisë, Mat Stafanson.

Temë e diskutimit të sotëm ishte padyshim situata aktuale politike, me ç’rast Mexhiti e njoftoi nga afër ambasadorin suedez me zhvillimet e fundit, mekanizmat e ndërmarra si dhe potencialin demokratik për tejkalimin e krizës politike.

Ambasadori Stafanson shprehu përkrahjen e plotë të autoriteteve suedeze për tejkalimin sa më të shpejtë të krizës që do t’i mundësojë vendit hapërim të përshpejtuar drejt procesit të eurointegrimit dhe integrimit në NATO.

Konstatim i përbashkët nga ky takim ishte formimi sa më i shpejtë i një qeverie të përqendruar në zbatimin e reformave të drejtësisë, mbrojtjen e vlerave demokratike dhe progresin ekonomik, njofton AIM.

Duke e marrë parasysh edhe bashkëpunimin që Komuna e Çairit ka me autoritetet lokale nga Republika e Suedisë për realizimin e shumë projekteve zhvillimore në nivel lokal, ambasadori Stafanson u njoftua nga kreu i Komunës së Çairit edhe me situatën në nivel lokal, projektet e realizuara dhe rrjedhën e bashkëpunimit me autoritetet lokale të Republikës së Suedisë.

Në fund, u shpreh gatishmëri e plotë që ky proces bashkëpunues të vazhdojë me intenzitet më të lartë edhe në të ardhmen.