Mimoza Kusari: Nëse deklarata e Blakajt nuk trajtohet si duhet, ne nuk jemi për shtet!

20.08.2018 20:41:43

Kryetarja e Alternativës, njëherësh edhe deputete e këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, është përfshirë në debatin që shkaktoi sot një deklaratë e ish-prokurorit Elez Blakaj.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se nëse deklarimi i Prokurorit të dorëhequr Blakaj nuk e merr trajtimin e duhur, ne si shoqëri nuk jemi për shtet.

Deputetja opozitare ka thënë ndër të tjera se problemi i Kosovës nuk është në veri, por problemi qëndron në kryeqendër të Kosovës, në Prishtinë.

Postimi i plotë:

Nëse edhe deklarimi publik i Prokurorit të dorëhequr Blakaj, nuk e merr vëmendjen dhe trajtimin që duhet, ne as nuk jemi për shtet dhe as nuk e kemi bërë shtetin tonë.

Le të rrahin gjoks gjithë jetën “Baballarët e Kombit” për të arriturat e tyre, e ato të arritura janë: 19,000 veteranë të falsifikuar, shteti i kapur nga klani “Pronto”, sistemi i munguar i drejtësisë, Qeveria megallomane me shpenzime më të larta se të hyrat, sistem i arsimit dhe shëndetësisë të dëmtuara deri në palcë…. Këto janë vetëm disa nga të “arriturat” e “Baballarëve” tanë.

Fatura e që po e paguan sot qytetari i Republikës është disproporcionalisht më e lartë se krejt “kontributet” e deklaruara të këtyre burrave (lexo: burrecave) që e zhvatin shtetin sikur çamçakëzin e dhuruar nga tjetërkush.

Qytetarë të Kosovës, mos u frikësoni se e humbim Veriun ose copë tjera të territorit të Kosovës, problemin nuk e kemi në Veri, por në kryeqendër të Kosovës, në Prishtinë.

Pa e hequr kancerin e shoqërisë në qendër, asnjë hap tjetër për funksionalizim të shtetit nuk do të ketë sukses.