Ministrat në detyrë, Reka e Vitia diskutojnë për kontributin e BE-së gjatë...

Ministrat në detyrë, Reka e Vitia diskutojnë për kontributin e BE-së gjatë pandemisë

22.04.2020 13:24:36

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka takuar sot ministrin në detyrë të Shëndetësisë,  Arben Vitia, me të cilin diskutuan për punët dhe ndërveprimet e përbashkëta të institucioneve të Republikës së Kosovës në trajtimin e parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të coronavirusit si dhe adresimin e përmbushjen e kërkesave të ndryshme, të cilat burojnë nga kjo pandemi.

Në këtë takim, Reka e njoftoi ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me angazhimin e Komisionit Evropian për të liruar nga kufizimi eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që të bëhet përmes transferimit të përvojës dhe furnizimi i pajisjeve dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore, pjesë e një përgjigje të përbashkët evropiane në drejtim të luftimit të pandemisë COVID-19.

Në këtë drejtim, siç njoftoi ai, Komisioni Evropian ka realizuar konsultimet me shtetet anëtare të BE-së për një rregullore për të rregulluar skemën e autorizimit të eksportit të vendosur më 15 mars si një masë emergjente që përfundon më 25 prill 2020.

“Propozimi mbi rregulloren e re parashikon përjashtimin e Ballkanit Perëndimor nga skema. Kjo rregullore, pritet të hyjë në fuqi më 26 prill 2020, e cila përfshinë përjashtimin e Ballkanit Perëndimor nga kufizimet në eksportet e furnizimeve mjekësore që vijnë nga BE, marrë pasur parasysh që këto vende janë angazhuar në një proces të thellë integrimi në Bashkimin Evropian”.

Po ashtu, Vitia u njoftua për mundësitë e mëtejme të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të kërkesave dhe koordinimit të Kosovës me shtetet anëtare të BE-së për shkëmbimin e përvojave dhe ndihmave të natyrave të ndryshme në menaxhimin dhe tejkalimin me sukses të kësaj pandemie.

Nga ana e tij, Vitia shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ndërsjellë në sfidën tonë të përbashkët në parandalimin e kësaj pandemie, si dhe kontributin e pakursyer të gjitha institucioneve vendore, shteteve anëtare të BE-së, si dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilët janë ndër mbështetësit kryesor të Republikës së Kosovës në këto ditë jo të lehtë në trajtimin e parandalimit të përhapjes të virusit korona COVID-19.