Ministri Hoti sqaron çështjen e kredive të buta me qeverinë e Austrisë

30.07.2016 08:53:00

 

Kjo marrëveshje specifike është negociuar me Qeverinë e Austrisë në përputhje me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjin për borxhet publike, në kuadër të marrëveshjes kornizë për kredi të buta me Qeverinë e Austrisë në shumë prej 20 milion euro të nënshkruar para katër viteve. Kushtet e kredisë janë shumë të volitshme. Marrëveshja është nënshkruar në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar me rastin e vizitës së Presidentit të Austrisë në Kosovë. Përmes kësaj kredi, do të sigurohen pajisje për kardiologji sipas nevojave të paraqitura nga QKUK.

Kushdo që ka dyshime për çfarëdo shkelje, i ftoj që t’i bëjnë publike dhe t’i drejtojnë tek organet kompetente. Përmes shkrimeve tendencioze në medie për shkelje të pretenduara, këto medie dhe këta gazetarë po e fyejnë Qeverinë e Austrisë, e cila e ka ofruar këtë kredi si formë e mbështetjes ndërshtetërore.

Në takimin që kam pasur me Komision për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale unë i kam ftuar që të jenë plotësisht të involvuar në mbikëqyrjen e shfrytëzimin të kësaj kredi, si e drejtë kushtetuese e deputetëve për të mbikëqyrë punën e ekzekutivit. Unë i falënderoj ata për konstruktivitetin e treguar dhe gatishmërinë për të ri-proceduar në Kuvend këtë marrëveshje.

Në takimin që kam pasur me Ministrin e Financave të Austrisë më 28 qershor 2016, jemi pajtuar që afati për dorëzim të projekteve të reja për kredi me kushte të buta, sikurse kjo e kardiologjisë, të zgjatet edhe për 2 vite. Gjithashtu jemi pajtuar që shuma e kredisë të rritet edhe për 20 milion euro për të financuar projekte të tjera.