Ministri i Jashtëm i Gjermanisë apel deputetëve të Kosovës: Votojeni demarkacionin, mundësoni lëvizjen e lirë të qytetarëve tuaj

13.04.2017 09:37:48

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Isa Mustafa u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës ta ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Ministri gjerman tha se apelon te deputetët e Kuvendit të Kosovës ta ratifikojnë marrëveshjen për Demarkacionin për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se Kosova ka bërë hapa të mëdha në zbatimin e reformave dhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Sipas tij, tashmë mbetet ratifikimi i demarkacionit si kusht për liberalizimit e vizave.

Ministri i Jashtëm gjerman ka thënë se shteti gjerman është ndër shtetet e para që ka njohur shtetin e Kosovës, prandaj e ndjejnë obligim ta ndihmojnë Kosovën për avancimin e përgjithshëm.

Ai tha Gjermania do ta mbajë premtimin se Ballkani Perëndimor dhe Kosova si pjesë e saj i kanë dyert e hapura në BE.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është detyrë e lehtë për juve, lidhet me përmbushjen e standardeve të shumta”, tha ministri, duke premtuar mbështetjen e shtetit gjerman në përmbushjen e tyre

Ministri i Jashtëm gjerman po ashtu foli për bisedimet Kosovë-Serbi. Ai tha se është e rëndësishme që procesi i dialogut të vazhdojë.

Gabriel prezantoi përvojat e shtetit gjerman në raportet me shtetet tjera, si Holandën, kur para disa dekadave nuk është menduar se do të jenë shtete mike, por sot këto dy shtete janë partnere strategjik.

Ministri foli edhe për praninë e madhe të shqiptarë të Kosovës në Gjermani dhe u shpreh se ndihet i kënaqur që në Kosovë ka interesim të madh për gjuhën dhe kulturën gjermane.