Ministri Quni njoftohet për nivelin e gatishmërisë operacionale të FSK-së

17.03.2020 15:52:07

Pas situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë operacionale për mbështetje ushtarake të autoriteteve civile.

Me qëllim të informimit sa më të afërt, sot në kazermat “Adem Jashari” në Prishtinë dhe në Pomazatin, ministri i Mbrojtjes Anton Quni i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së , gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe Shefi i Stafit të SHP të FSK-së gjeneralbrigade Jeton Dreshaj, ka vizituar Qendrën Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe njësitet e angazhuara në Forcën për Detyrë si njësitë për mbështetje logjistike, mbështetje mjekësore, xheniere, mbrojtjes kimike, atomike dhe biologjike, policisë ushtarake, operacioneve civile dhe komunikimit.

Nga ana e oficerëve përgjegjës të qendrës operative dhe njësive përkatëse, Ministri Quni u njoftua me planin e gatishmërisë, veprimet e deritashme si dhe kapacitetet njerëzore specialistike, profesionale, teknike, materiale dhe mbështetjes logjistike të Forcës për Detyrë, të cilat janë vënë në gatishmëri për veprim përballë situatës së krijuar.

Ministri Quni shprehu vlerësimin e lartë për nivelin e gatishmërisë së FSK-së për reagim, me besimin e plotë se FSK edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme do të arrijë me sukses të përmbushë detyrën kushtetuese dhe ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë.