Ministri Rrahmani dhe shefi i UNICEF-it në Kosovë bisedojnë për partneritetin për shëndetin e fëmijëve.

16.03.2017 11:06:54

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani priti sot në takim shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Brandao Co, me të cilin biseduan për partneritetin në fushën e shëndetësisë në Kosovë.

Z. Brandao Co e ka vlerësuar lart partneritetin e gjatë midis UNICEF-it dhe MSh-së në Kosovë, duke vënë theksin në bashkëpunimin në fushën e përmirësimit të shëndetit të fëmijëve dhe procesin e mirë të imunizimit të tyre, në të cilin proces, UNICEF-i ndihmon MSh në prokurimin e vaksinave të aprovuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në mënyrë kost-efektive dhe të sigurta.


Shefi i UNICEF-it përgëzoi Ministrinë edhe për Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2017-2020 për të cilën tha se është një dokument i fuqishëm për zhvillimin e sektorit shëndetësor dhe u zotua për vazhdimin e partneritetit.


Ministri Rrahmani falënderoi UNICEF-in për përkrahjen e MSh-së dhe sektorit shëndetësor si në fushën e imunizimit, vizitave shtëpiake, ngritjen e kapaciteteve për shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe theksoi se çështjet shëndetësore që lidhen me fëmijët, Ministria i trajton me prioritet të lartë.


Ministri dhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë thanë se të dy këto institucione janë gati të mbështesin planin vjetor të aktiviteteve me qëllim të realizimit të objektivit të përbashkët – shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve në Kosovë.