Meta mbyll vizitën në Finlandë: Stabilitet në rajonin tonë

16.03.2017 10:58:29

Në përfundim të vizitës zyrtare në Finlande, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, Arta Dade, u pritën në Helsinki nga Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Jashtme në Parlamentin e Finlandës dhe ish-Kryeministri, z. Matti Vanhanen.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës dhe Parlamentit të saj ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe ndaj vendeve të tjera në rajon dhe vuri në dukje rëndësinë e intensifikimit konkret të bashkëpunimit parlamentar dhe ekonomik mes dy vendeve.

“Vizita juaj në Finlandë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyer që ne kemi mes dy vendeve. Ju uroj suksese në rrugën tuaj drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në BE. Finlanda ka qenë gjithmonë një mbështetëse e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të ardhur në Shqipëri dhe do ta marr në konsideratë me kënaqësi”, u shpreh Vanhanen.

“Ishte një kënaqësi për të konfirmuar së bashku marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe rëndësinë e zgjerimit të tyre në interes të marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe të stabilitetit në rajonin tonë dhe në këtë drejtim shpresojmë që z.  Vanhanen të vizitojë Shqipërinë”, tha kryeparlamentari Meta.

Meta dhe Vanhanen ndanë bindjen se dy parlamentet duhet të rrisin kontaktet dhe të shtyjnë përpara një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në fushat e arsimit, teknologjisë, turizmit dhe shkëmbimeve njerëzore.