Ministria e Arsimit e padit drejtoreshën e Shpend Ahmetit (Dokument)

03.02.2017 16:37:49

Inspektorati i Ministrisë së Arsimit ka bërë kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Arberie Nagavci.

Lënda në Prokurorin Themelore në Prishtinë është proceduar me datë 8.12.2016.

Kallëzimi penal është bërë për pengim të kryerjes së detyrës zyrtare. Lajmi.net e posedon kopjen e protokolluar të kallëzimit penal.

Zyra për informim e Ministrisë së Arsimit nuk ka dashur të jap informacione lidhur me atë se cili ka qenë ‘pengimi i kryerjes së detyrës zyrtare’.

Por, siç ka mësuar lajmi.net bëhet fjalë pengimin e inspektorëve të MASHTR, nga ana e drejtoreshës dhe mos ofrimin e dokumentacionit zyrtarë që e MASHT ka kërkuar të inspektojë.

“Inspektorët e MASHT kanë dashur të shikojnë disa konkurse të Komunës. Bëhet fjalë për konkursin e drejtorëve dhe zëvendës drejtorëve në disa shkolla, por edhe për drejtor të çerdheve. Drejtoresha Nagvci nuk u ka ofruar asnjë dokumentacion”, kanë bërë të ditur disa burime për lajmi.net.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë para disa javëve ka konkloduar se Komuna e Prishtinës ka emëruar jashtëligjshëm disa drejtorë dhe zëvendës drejtorë të shkollave, ndërkaq Komuna vendimin e Këshillit e ka dërguar për interpretim në Gjykata. Ndërkaq, emërimi i drejtorëve të çerdheve publike është bërë në këtë javë, pasi konkursi patë dështuar dy herë.