Ministria e Arsimit njofton zyrtarisht: Ja kur do të nisë shkolla

14.01.2017 17:42:24

Ditën e hënë, më 16 janar do të nisin zyrtarisht shkollat dhe kopshtet pas shtyrjes prej dy javë për shkak të epidemisë së gripit në vend.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se procesi mësimor do të rinisë pas dy javë shtyrje.

Njoftimi i Ministrisë së Arsimit:

Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se ditën e hënë me datë 16 Janar 2017 do të nisë procesi mësimor i rregullt në të gjitha institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë. Suksese!”, citohet në mesazhin e MAS.

Kujtojmë se ministria ka dhënë 2 herë urdhër për shtyrjen e hapjes së shkollave si pasojë e gripit. Mbyllja e çerdheve, kopshteve, shkollave erdhi pas vendimit të datës 3 janar të Ministrisë së Shëndetësisë, ku u vendos shtyrja e datës së fillimit të shkollave për shkak të situatës gripale në vend dhe qeveria vijoi masat parandaluese duke caktuar tre ditë të tjera pushimi.

Këshilli i Ministrave vendosi fillimisht të caktojë ditë pushimi datat 4, 5 dhe 6 janar, për një nga prindërit që kanë fëmijë të mitur dhe që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, të cilët janë nëpunës civilë apo punonjës të tjerë të administratës publike, në nivel qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Më pas erdhi vendimi i dytë i Ministrisë së Shëndetësisë, më datë 7 janar për mbylljen e shkollave deri më 16 janar.