Ministria e Mjedisit ka bërë apel te qytetarët për kujdes ndaj parandalimit të zjarreve

08.08.2017 16:13:22

Përmes një kumtese për media, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor të Kosovës ka bërë apel te qytetarët për kujdes ndaj parandalimit të zjarreve në Parqet Kombëtare të vendit.

Ky është apeli i MMPH-së:

“Temperaturat e larta që po vazhdojnë gjatë ditëve të fundit në vendin tonë, kanë ndikuar në shtimin e rasteve të paraqitjen dhe përhapjen së zjarreve nëpër pyje përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare. Sipas njoftimeve nga terreni në shumicën e rasteve zjarret janë shkaktuar nga pakujdesia e qytetarëve.

Drejtoria për Administrimin e PK Sharri dhe Drejtoria për Administrim e PK Bjeshkët e Nemuna, po bëjnë përpjekje maksimale në lokalizimin e vatrave të zjarrit, shuarjen e tyre dhe parandalimin e zjarreve të reja. Gjatë këtyre ditëve është shtuar vigjilenca, gatishmëria, kontrolli dhe monitorimi e territorit të Parqeve, dhe njëkohësisht është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante si njësitë e emergjencave në komunat përkatëse, njësitë e zjarrfikësve, Policinë e Kosovës, Qendrën e Situatave dhe institucionet tjera.

Me këtë rast apelojmë tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve.

Kërkojmë nga të gjithë qytetarët, që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni Drejtoritë përkatëse. Numrat e Kontaktit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Bjeshkët e Nemuna” janë: 044 222718 dhe 044 155735, ndërsa për Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ harri” janë: 045 308164 dhe 044 263 188.

Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet ti keni parasysh janë:

Zjarrfikësit 193, Policia e Kosovës 038/192, mobil 192, Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës 112, Ndihma e shpejtë 194 dhe 038/ 500 094”.