Ministrja Hoxha merr mbështetjen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë

15.11.2016 22:47:31

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka marrë mbështetje të fuqishme nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për reformat e ndërmarra në Ministrinë e Drejtësisë dhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Siç njofton Zyra e ministres Hoxha, gjatë vizitës në SHBA, me ftesë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ministrja Hoxha është takuar të martën në Washington me Bruce Swartz nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, përgjegjës për bashkëpunim ndërkombëtar për zyrat OPDAT, ICITAP, INL, të cilat mbështesin Republikën e Kosovës.

“Në këtë takim, ministrja Hoxha dhe Bruce Swartz nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, kanë diskutuar për përkrahjen amerikane për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa u vlerësua puna që po bën Ministria e Drejtësisë për reforma në sundimin e ligjit.

Ministrja Hoxha mori mbështetje të plotë të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së edhe për fuqizimin e legjislacionit për sistemin e drejtësisë, për të fuqizuar edhe më shumë llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.