Miratohet Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari,,

Miratohet Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari,,

30.03.2017 16:47:21

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Për këtë Projektligj 56 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe 5 kanë abstenuar.

Deputeti i PDK-së Shaip Muja duke paraqitur këtë Projektligj tha se në Kuvend po bëhet cirk duke vonuar me sjelljen e këtij Projektligji

 “Prapë do t’i forcojë konkluzionet e lodhjes që po ia adresoj këtij Kuvendi edhe koordinimeve sepse kjo është dashur të vijë nga sekretaria e partisë edhe e Komisionit, se kush flet për këto komisione e jo të bëhet ky far cirku edhe të vonohet ky ligj i cili është dashur të kalojë shumë vite më parë”, tha Muja.

Në lidhje me këtë ka replikuar deputetja Melihate Tërmkolli, e cila tha se ata që e dinë mirë historinë e Kosovës dhe ata që e kanë projektuar pavarësinë e Kosovës, do duhej të kishin përpara dy projektligje, për memorialin “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”.

 “Unë nuk e di kush i ka bërë krejt këto ligje por ata që vërtetë e dojnë Kosovën, ata që vërtetë e dinë historinë mirë të Kosovës ata që dinë kontributin e të gjithëve që kanë dhënë për Kosovën, ata që kanë vu bazamentin e shtetit të pavarur të Kosovës, do duhej të kishim sot ligjin për dy memoriale, për memorialin për presidentin Ibrahim Rugova dhe memorialin për Adem Jasharin. Edhe unë mund ta votoj vetëm në këtë mënyrë dhe e thërras LDK-në ta bëjë këtë, dhe gjitha partitë jo vetëm LDK-ja. Nëse vërtetë e dojmë këtë vend pa hile, nëse po dojmë të bëjmë fushatë, që dikush po bënë fushatë, mua me vjen keq po nuk është mirë me ba fushatë me personalitete të denja të popullit dhe shtetit të Kosovës”, tha Tërmkolli.

Ndaj Tërmkollit ka reaguar Muja, sipas të cilit askush nuk mund të tërheq këso paralele pasi që sipas tij rasti i Jasharajve është unik në botë.

“Unë më se paku kam pritur që dikush do të thotë këtu që ky ligj po bëhet për ndonjë fushatë ose për diçka, por nëse tërhiqet një paralele me kompleksin Adem Jashari, që është unik në botë, janë udhëheqësit e Republikës së Kosovës ose të historisë së Kosovës, por është unik në botë. Unë nuk desha të politizoj, por ky ligj ka qëndruar në Qeverinë e Kosovës dhe nga aty nuk është kthyer asnjë fjali komentuese as nga plani financiar as asgjë, ne e kemi tërhequr brenda rregullave që ekzistojnë si Ligj dhe nuk desha këtu me ba politikë”, tha Muja.

Por ishte Tërmkolli që sërish reagoi ndaj Mujës duke i thënë se vlerësimin kush është unik e kush jo nuk mund ta bëjë askush e aq më pak deputetët.

 “Vlerësimin kush është unik e kush nuk është unik nuk e bënë asnjë deputet në veçanti, kjo është e turpshme të bëjë dikush vlerësim kush është Adem Jashari e kush Ibrahim Rugova, kjo është e turpshme dhe e papranueshme. Ndërsa kënd e njeh krejt bota, unë nuk e di a ka njeri edhe në botë, jo veç në Kosovë, që nuk e dinë se krejt bota e njeh edhe Ibrahim Rugovën, para të gjithë të tjerëve”, tha ajo.

Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” është përkrahur në parim nga të gjitha partitë politike, pasi e kanë konsideruar të rëndësishëm një projektligj të tillë.

Për këtë projektligj Qeveria e Kosovës nuk e ka dhënë asnjë koment, derisa u kritikua nga deputetët pse nuk ka gjetur kohë të jap komentet e saj.

Gjatë seancës së sotme është miratuar në lexim të parë edhe Projektligji për Ndërmarrjet Sociale. Seanca vazhdon nesër në orën 10:00 me pika të caktuara të rendit të ditës.