Misionari i lartë i OSBE-së, z Villiam Voker kishte thënë:”Më 15 janar në Reçak është bërë krim kundër njerëzimit”

15.01.2020 22:14:42

MASAKRA SERBE E 15 JANARIT 1999 NË REÇAK

Dita e 15 janarit 1999 ishte e kobshme për fshatin Reçak të Shtimes. Forcat serbe i kishin kidnapuar, vrarë dhe masakruar edhe për së vdekuri 42 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe katër gra dhe dy fëmijë. Raçaku është sulmuar dhe është kallur edhe në qershor të vitit 1998. Popullata ishte larguar e tmerruar për t’u strehuar në vende pak më të sigurta. Ishin larguar gra, fëmijë e pleq, se burrat e moshës madhore kishin ndenjur kah kishin mundnin nëpër male, për t’u mbrojtur disi, si edhe për të luftuar kundër barbarizmit të shfrenuara të forcave serbe.

i
Nga: Naxhije DOÇI

-Forcat militare dhe paramilitare serbe të ardhura edhe nga Serbia, më tërë armatimin e rëndë ushtarak, i kishin zënë pikat kyçe çdo kund nëpër Kosovë dhe bënin kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare, ngase qëllim esencial të tyre kishin pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Edhe në komunën e Shtimes çdo kund i kishin zënë pozicionet më strategjike. Prej kohësh e kishin grumbulluar armatimin në Kodrën e Gështenjave, mbi pishat e Shtimes, por edhe te Rezervoari i Ujsjellësit. Prej aty e kishin si në pëllëmbë të dorës krejt Raçakun dhe më 15 janar 1999 edhe e kishin vënë enkas në shënjestër. Nuk kishin pushuar së gjuajturit tërë kohën në Reçak, se si duket e kishin pasur në plan që ta rrafshonin me tokë.
-Malltretime, vrasje dhe masakrime kishin bërë pothuaj në secilën shtëpi të fshatit Reçak, kudo që kishin gjetur banorë të strehuar. Burrat i kishin nxjerrë jashtë dhe të shtrirë për tokë i kishin rrahur me dru gjer në alivanosje, ndërsa gratë i kishin mbyllur brenda. Pas kryrjes së këtij shfrenimi i kishin detyruar burrat që të iknin në vrap kah katundi Rranzë, se “Po shkuat në tjetër anë, iu mbysim“ – Ju kishin thënë. Në kodrën, që banorët e quajmë Kodra e Bebushit, iu kishin dalë në pritë ushtria dhe policia serbe. Në distancë prej dy-tri metrash i kishin vrarë të gjithë. Skenar makabër për shuarje jetësh, ishte bërë në atë vend të krimit të shkaktuar. Të parët drejtë kodrës kishin ikur të rinjtë, nga se ata si të rinj kishin mundur që të iknin më shpejtë. Me shpresë se do të shpëtonin kishin ikur shpejtë. Të gjithë i kishin vrarë duke i qëlluar në sy, në vesh, në krye dhe gjithkund. Shoshë trupin ua kishin bërë. Edhe të tjerët, që kishin vrapuar si të parët, të gjithë i kishin vrarë. Gjithësejt të vrarë në kodrën e Bebushit 42 shqiptarë, prej moshës 12 e gjer në moshën 80 vjeçe, duke përfshirë edhe gra e fëmijë. Pas kësaj të gjithë i kishin masakruar për së vdekurit.
-Nga kjo masakër e paraskenuar kishin shpëtuar vetëm tre vetë: Imer Hakipi (65), Nesret Nazifi (50) dhe Bilall Sadriu (50), të cilët ngase nuk kishin mundur të vraponin, ishin fshehur në grunaje 20 metra largë Lugut (vendkrimit) dhe s’kishin pasur guxim të dalin gjer të nesërmën pas mesdite.
-Më 16 janar 1999 të vrarët dhe të masakruarët e Reçakut kishte ardhur për t’i parë Misionari i Lartë i OSBE-së, Z. Viliam Vokeri dhe kur i kishte parë kishte thënë: “Në Reçak është bërë krim kundër njerëzimit”. Përmes fjalëve të tij edhe është alarmuar bota e qytetëruar, se në Kosovë po bëhet pastrim etnik dhe gjenocid kundër shqiptarëve. Ekranet televizive qenë mbushur me spotet e skenave rrënqethëse, që ndodhën më 15 janar 1999 në Reçak. Skenat e tilla e tronditën botën.
-Kjo ishte një e mirë e madhe për shqiptarët dhe për Kosovën, se ne shqiptarëve edhe përpara na ka vrarë e prerë pushtuesi serb, por s’ka dëgjuar kurrkush për hallin tonë. Na vranin dhe na shpallnin fajtorë. Shteti pushtues serb gjithëherë ka pasur propagandë të fortë, e bota gënjeshtrat e tij i ka marrë për të vërteta. Nuk e ka ditur bota se kush janë serbët, andaj nuk e kanë kuptuar as mjerimin e ne shqiptarëve nën thundrën tutore të tyre. Tani që e kanë kuptuar, dhashtë Zoti I Madh e rrezoftë dritë edhe për ne shqiptarët dhe për Kosovën!
-Të gjithë të masakruarit i kishin marrë nga Lugu dhe i kishin vendosur në xhaminë e fshatit – Ushtarët e UÇK-së i kishin sjellur aty. Në përleshje me kriminelët serbë ishin vrarë edhe 11 ushtarë të UÇK-së. Ata i kanë varrosur në fshatin Malapolc. Me nderime të larta i kanë varrosur, ashtu siç edhe e kanë merituar.

-Fragment nga libri “SHPIRTI I DËRMUAR-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë-1997-1999”-Prishtinë-2000-Naxhije Doçi