Misionet ndërkombëtare në Beograd janë angazhuar për lirimin e Thaçit

10.10.2016 22:59:14

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, ka thënë se Qeveria e Kosovës po bën përpjekjet maksimale për lirimin e nënkolonelit Nehat Thaçi, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Sipas tij, edhe misionet diplomatike të akredituara në Beograd janë jashtëzakonisht të interesuara rreth rastit të Thaçit.

“Sot është mbajtur seanca dëgjimore për rastin e nënkolonelit Thaçi në Prokurorinë për krim të organizuar në Beograd. Të premten pasdite është vendosur që me rastin e z.Thaçi të merret prokuroria për krim të organizuar dhe ai pra ngarkohet për veprën e terrorizmit, e jo Prokuroria për Krime Lufte. Seanca ka filluar sot në orën 11 dhe ka zgjatur 2 orë, ndërkohë z.Thaçi e ka mbajtur fjalën e tij në gjuhën shqipe”, ka treguar Sadiku për RTK.

“Ekipi mbrojtës i tij sot e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të masës së paraburgimit. Duhet thënë se që nga mbrëmja e së premtes z.Thaçi është transferuar nga Nishi për në Beograd z.Thaçi vazhdon ta mbaj qëndrimin e tij që është jashtzakonsisht dinjitoz, dhe është i palëkundur në besimin se përkundër vonesave të mundshme, drejtësia do të fitojë dhe ai do të lirohet shumë shpejt”, ka thënë Sadiku.

I pyetur se çfarë po bën aktualisht zyra ndërlidhëse e Kosovës rreth lirimit sa më të shpejtë të Thaçit, Sadiku është përgjigjur: “Puna jonë nuk mund të shihet e ndarë nga përpjekjet maksimale që po bën Qeveria e Kosovës dhe Institucionet tjera. Në anën tjetër pasi gjendemi në vendin e ngjarjes, kemi përgjegjësi shtesë sa i përket kontakteve me autoritet e Beogradit, me misionet ndërkombëtare të akredituara në Serbi por edhe kontaktet me ekipin mbrojtës e familjarët e z.Thaçit. Me rëndësi është të përmendën edhe kontaktet me mediat këtu. Përgjatë tërë kësaj kohe vazhdimisht përcjellim qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të menjëhershëm të z. Thaçit…”.

I pyetur se a ka pasur deri më tani kërkesë nga zyrat ndërkombëtarë në Beograd që Thaçi sa më shpejt të lirohet, Sadiku ka thënë se zyra në Beograd, që nga orët e vona të 27 shtatorit, kur është ndaluar Thaçi, nuk është ndalur së kontaktuari në të gjitha adresat e mundshme në Serbi lidhur me rastin e tij.

“Ka interesim të jashtzakonshëm nga ana e misioneve diplomatike të akredituara në Beograd, ndërkohë që për shkak të korrektësisë nuk kisha dashur t’i komentoj veprimet që ata i kanë ndërmarrë pasi këtë mund ta bëjnë vetëm misionet…”, ka thënë Sadiku.

“Ne vazhdojmë me kërkesat tona për lirimin e menjëhershëm të z.Thaçi, por paralelisht po e përcjellim me shumë kujdes çdo zhvillim në procesin kundër tij. Jemi maksimalisht të mobilizuar që t’i përgjigjemi menjëherë kërkesave që mund të paraqiten në ndërkohë”, ka thënë Sadiku.