Procesi gjyqësor për vrasjen e Enver Hadrit nis këtë muaj në Belgjikë

10.10.2016 23:38:29

Procesi gjyqësor për vrasjen e veprimtarit për të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike të shqiptarëve të Kosovës, Enver Hadri, do të fillojë këtë muaj në Bruksel.

Lajmin e ka bërë të ditur familja e tij, nëpërmjet një njoftimi për media.

Të akuzuarit në këtë gjykim, njofton familja Hadri, janë Veselin Vukotic, Bozidar Spasic dhe Andrija Draskovic.

Seanca përgatitore do të zhvillohet më 13 tetor, ndërsa seanca kryesore do të mbahet më 7 nëntor, pas formimit të trupit gjykues, që do të bëhet më 2 nëntor, raporton Gazeta Express.

Avokati i familjes, Christophe Marchand, e poashtu edhe vajza e të ndjerit Enver Hadri, Teuta Hadri, i kanë bërë kerkesë zyrtare Qeverisë së Kosoves nepermjet Ambasadës së Kosovës në Bruksel që të marrin pjesë në këtë proces gjyqësor si palë paditëse, thuhet në njoftimin e familjes Hadri.

Deri më sot, familja Hadri thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Qeveria apo Ambasada e Kosovës në Bruksel.