Molliqaj: LDK e pranon dialogun dhe PDK-në, vetëm që të marrë pushtet për vete

14.01.2019 22:13:27

Lëvizje drejt përfshirjes në dialog me Serbinë i ka quajtur deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj deklaratat e fundit të LDK-së për bisedimet.

Në një postim në rrjetin social facebook, Molliqaj ka shkruar se partia e Isa Mustafës, po e shfrytëzon dialogun që të marrë pushtet për vete.

Megjithatë ai ka thënë se është “lajm i mirë që LDK po lëviz drejt përfshirjes në dialog”.

“Lajm i mirë që LDK paska bërë lëvizje drejt përfshirjes në dialog me Serbinë. Por përderisa për PSD-në asnjëherë dialogu nuk është shfrytëzuar për të fituar pushtet për vete, për LDK-në synimi dhe kushti i vetëm për t’u përfshirë qenkan nëse ajo merr pushtet. Qoftë përmes zjedhjeve, qoftë pa zgjedhje por vetëm me riformatim të qeverisë – siç deklaroi sot Isa Mustafa”, ka shkruar Molliqaj.

Deputeti i PSD-së në këtë postim gjithashtu thotë se partisë së tij i janë ofruar shumë pozita, për tu bërë pjesë e koalicionit.

Por sipas tij, “PSD-ja i ka refuzuar, për të vendosur kushte tjera, që i shërbejnë Kosovës”.

“PSD-së i janë ofruar ministri e pushtet, por ne kemi zgjedhur ta refuzojmë përfitimin partiak, për të vendosur kushte tjera, që i shërbejnë Kosovës. LDK-ja nuk paska kushte. Thjeshtë po thotë që për t’u përfshirë në dialog, ajo duhet të jetë në pushtet. Madje nuk paska më rëndësi edhe nëse në këtë pushtet është edhe PDK-ja. Është lajm i mirë avancimi i qëndrimit të LDK-së, por unitetin për ta përfaqësuar Kosovën në dialog, duhet ta krijojmë duke vendosur parime e vlera, e jo duke e shfrytëzuar procesin për të marrë pushtet për vete”, përfundon postimi i Dardan Molliqajt.

Ndryshe LDK-ja sot pas një mbledhje të grupit paralamentar, tha se për përfshirjen e saj në dialog duhet të plotësohen disa kushte.