Momenti kur Ali Ahmeti pengohet të hyjë në Kumanovë, shpërthimi i dhunës

13.11.2016 23:24:50
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti, është penguar nga një grup personash, teksa ishte nisur për një takim me qytetarët e Kumanovës.

Nëpërmjet një deklaratë për media, BDI ka dënuar ashpër aktet e paligjshme për, siç ka thënë ajo, ndaj karvanit të delegacionit.

“Një grup i vogël provokuesish të dhunshëm tentuan të ndalin rrugën e Kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti drejt një takimi me qytetarët e Kumanovës. Tentativa e tyre dështoi dhe Ali Ahmeti zhvilloi në Kumanovë një takim në një sallë plot me mbështetës e simpatizantë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo parti ka shprehur keqardhje për përdorimin e turpshëm të dhimbjes së njerëzve nga disa grupe të reja politike të cilat duan të afirmohen nëpërmjet akteve të dëshpëruara.

“BDI dënon çdo mjet politik jopaqësor dhe mbetet e vendosur të vazhdojë rrugën e vetë politike me anë të bisedave me qytetarët”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, në takimin me kumanovarët , Ali Ahmeti shprehu mirënjohje për mbështetjen e treguar ndaj tij dhe BDI-së dhe tha se së bashku ishin më të fortë sesa keqbërësit.

“Keqbërësit në Kumanovë kurrë nuk do të gjejnë aleatin te Bashkimi Demokratik për Integrim,” u shpreh Ali Ahmeti.