Monika Kryemadhi: Shteti i Ramës i shërben krimit, kërcënon të ardhmen europiane

13.01.2018 12:44:52

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me strukturat e LSI-së në Vlorë, në kuadër të përgatitjeve për protestën e 27 janarit.

Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve Kryemadhi deklaroi se “shteti po i shërben krimit dhe korrupsionit”.

“Rama po kërcënon qëndrueshmërinë jo vetëm politike, por edhe të politikës së jashtme. Rama i rrezikoi dhe i vendosi në një pikë shumë kritike marrëdhëniet me fqinjët. Situata me krimin na është kthyer në një sinfoni normale, shtetin e ka kthyer në një institucion në shërbim të krimit. Edi Rama “rrëmbeu” Prokuroren e Përgjithshme dhe tani kërkon të kapë të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë”, tha Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI shtoi se shqiptarët duan të shkojnë në BE, por Edi Rama po e kërcënon vullnetin e tyre për t’u bashkuar me unionin.

“Partitë opozitare jemi bërë bashkë për të gjithë ata që e ndjejnë veten të varfër e të nënshtruar. Rama po shpopullon Shqipërinë”, theksoi Kryemadhi.

Ajo u shpreh se kryeministri Rama e ka kthyer Vlorën në një ‘Lungopare’ që i kushton 10 milionë euro kilometri vetëm për kënaqësitë e veta mendore.