Shkodër, shpërthim me eksploziv, gjashtë të plagosur

13.01.2018 13:22:13

Qyteti i Shkodrës është tronditur mëngjesin e sotëm nga një shpërthim me eksploziv të ndodhur në lagjen Rus.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:39. Nga hetimet rezulton se nga shpërthimi i eksplozivit kanë mbetur të plagosur gjashtë persona.

Raportohet se dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa katër të tjerë kanë marrë plagë të lehta. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës për të marrë trajtimin mjekësor.

Një automjet tip ‘Fuoristradë’ i parkuar jashtë objektit, është shkatërruar thuajse plotësisht.

Edhe kati i parë i një godine ka pësuar dëme të mëdha. Në katin e dytë të godinës së dëmtuar ndodhet zyra e shoqatës serbo – malaze.

Policia është e pranishme në vendngjarje dhe ka zbuluar emrin e një prej të lënduarve.

Nga hetimet rezulton se i plagosur ka mbetur pronari i Fuoristradës, Lulzim Kulla. Mediat lokale raportojnë se ai është në gjendje të rëndë.

43-vjeçari Kulla është një emër i njohur për policinë e Shkodrës, pasi është arrestuar në 2006 nga forcat RENEA dhe ka qenë nën hetim për disa ngjarje të rënda.

Ndërkohë Kulla dh një tjetër person i plagosur janë transportuar nga Spitali i Shkodrës, për shërbim më të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Policia bën me dije se eksplozivi është vendosur në motorin e Fuoristradës dhe Lulzim Kulla është objektivi i atentatit.

Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët, pasi ka ndodhur në një nga zonat më të populluara të qytetit. Policia po heton për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Të plagosurit janë:

Arjola Gjonaj, 31 vjeçe,
Pjetër Arra, 53 vjeç,
Gentian Suca, 40 vjeç,
Ditmir Myftia, 32 vjeç,
Pjetër Daka, 60 vjeç,
Lulzim Kullaj 42 vjeç,
Gardosileviç Roikq 50 vjeç