“Monstra” e Maqedonisë së Veriut/ Kapet në Kosovë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm

02.04.2021 21:42:17

Shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm në Maqedoninë e Veriut, Afrim Ismajloviq është arrestuar dje nga Policia e Kosovës, në Hajvali. më 23 shkurt të këtij viti ai është shpallur fajtor nga Gjykata Penale e Shkupit për rastin “Monstra” dhe së bashku me vëllanë e tij Agim janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Pas një aksidenti trafiku të ndodhur në Hajvali të Prishtinës, Ismajloviq u ftua për t’u marrë pyetje në stacionin policor. Pas verifikimit të kaluarës penale, Ismajloviqit i figuroi një urdhër-arrest nga shteti fqinj. Kjo bëri që ai të ndalohet për 48 orë.

Arrestimin e tij për Express e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

” Më 1 prill, rreth orës 15:00 në bazë të urdhëresës ndërkombëtare është arrestuar i kërkuari mashkull shtetas i Maqedonisë dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes. Rasti do të trajtohet bazuar në procedurat e parapara për raste të tilla në koordinim me institucionet përkatëse”,- thuhet në deklaratën e policisë.

Ndërkohë Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22: 30 të 12 prillit nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.

Ky akt kishte nxitur më pas pakënaqësi e protesta të shumta që ishin përshkallëzuar në dhunë rrugëve të Shkupit nga banorët lokalë të komunitetit maqedonas, të cilit kishin sulmuar bashkëqytetarët e tyre.

Protesta janë organizuar edhe nga familjarët e shqiptarëve të akuzuar duke mohuar që këtë vepër të rëndë ta kenë bërë të afërmit e tyre, ndërsa edhe tani pretendojnë se rasti është i kurdisur nga shërbime sekrete për qëllime të klasës politike që ishte në atë kohë në pushtet.