Nis seanca për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pozita e opozita me qëndrime të kundërta

02.04.2021 22:39:51

Ka nisur seanca e paralajmëruar për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, miratuar nga Qeveria Kurti.

Lidhur me këtë Ligj, të pakënaqur dhe kundër kanë dalur partitë opozitare, të cilat u deklaruan se partia në pushtet, nuk i konsultoi fare lidhur me këtë çështje.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë se mbështesin këto ndryshime.

I pari i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka kundërshtuar mënyrën e procedimit për këto ndryshime ligjore.

“Ky është një akt i turpshëm që LVV po e bënë. Iniciativa e parë e Kurtit nuk është për pandeminë e as ekonominë por për zgjedhjet. Po shihet se është kujdesur ta heq ndalesën që ia ka pamundësuar kandidimin në zgjedhje”, deklaroi Tahiri.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se është thellësisht i habitur me këtë iniciativë te Vetëvendosjes.

“Të jemi të qartë. Kosova ka nevojë për ndryshim të ligjit për zgjedhje. Diasporës duhet t’i mundësohet votimi në ambasada. LDK gjithmonë e ka mbështetur. Por reforma zgjedhore nuk mund të behet brenda natës”.

Abdixhiku thotë se veprimet e LVV-së janë veprime shantazhuese ndaj opozitës.

“Këto veprime janë llogaritje të qëllimshme për të prodhuar jostabilitet”.

Ai thotë se LDK pa kushte ka zgjatur dorën për konstruktivitet për zgjedhjen e presidentes.

“Po shihet se mendën e keni pasur vetëm te zgjedhjet”, ka thënë më tej Abdixhiku.