MOS FSHIHENI PRAPA URREJTJES KRONIKE NDAJ LDK-së!

09.01.2018 16:02:15

Në një shkrim autorial të tij, në mes tjerash, Kadri Veseli kishte shkruar: “…Natyrisht, në prapavijë të këtij qëndrimi të LDK-së [për gjykatën speciale], nuk gjendej asgjë tjetër, veç idesë se goditja e kundërshtarëve të saj nënkupton avantazh për rikthimin në pushtet…”

Mos fshiheni prapa urrejtjes kronike ndaj LDK-së kur duhet të gëlltitni të pabërat tuaja, pasi që partia juaj ishte pikërisht shtytësja kryesore e aprovimit të amendamentit kushtetues dhe e ligjit mbi gjykatën speciale. LDK ishte pajtuar atëherë sepse, ashtu si edhe ju, e kishte konsideruar të domosdoshëm dhe të pashmangshëm një votim të tillë. LDK dëshiron dhe duhet gjithherë të punoi që vrasësit e aktivistëve të devotshëm të partisë sonë kurdo t’i arrij dora e ligjit dhe mallkimi i zotit. Por asnjëherë nuk e ka bërë dhe nuk e bën këtë fshehurazi dhe pabesisht. Nuk jemi ne ata që fusim thikë prapa shpine as partnerëve lokal e as miqve ndërkombëtarë. Mos e bëni gabimin të niseni nga vetvetja kur gjykoni tjerët, sepse nuk janë të gjithë kosovarët të pabesë. Në qeverisje na keni lutë të “rikthehemi” edhe këtë herë, por kemi refuzuar kategorikisht, pasi që besojmë fuqishëm që ju më nuk i sillni asnjë të mirë qeverisjes së këtij vendi!