“Mos ratifikimi i demarkacionit mund të ketë pasoja edhe në ekonomi”

03.08.2016 16:14:32

Delawie tha se SHBA do t’i qëndrojë përkrah Kosovës, kur të ratifikohet kjo marrëveshje

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, duke folur në tryezën për Demarkacionin, ka thënë se mos ratifikimi i demarkacionit, mund të ketë pasoja edhe në ekonomi. Sipas tij, SHBA-të janë të interesuara në suksesin dhe jo dështimin e Kosovës. Ai ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë për demarkacionin dhe Kuvendit të vazhdojë me çështje të tjera.

“Kufijtë të dal nga Komisioni janë të njëjtë me pakon e Ahtisarit, të kushtetutës dhe të flamurit” tha ai.

Në fjalimin  e tij, Delawie tha se SHBA do t’i qëndrojë përkrah Kosovës, edhe nëse nuk ratifikohet megjithatë ai tha se sëhtë në të mirë të Kosovës që të ratifikohet kjo marrëveshje.

Sipas tij, kjo çështje nuk duhet të politizohet, por liderët duhet të fokusohen në problemet dhe nevojat që kanë qytetarët, si sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe sjellja e investitorëve të huaj, për krijimin e vendeve të punës.

Delawie thotë se nuk ka pasur informata, të ketë pasur vërejtje se me këtë shënjim të kufirit, qytetarëve po u merret toka.

Sipas tij, demarkacioni duhet të votohet, pasi që ndikon në marrëdhënie më të mira fqinjësore dhe siguri në rajon.

Ai e ka vlerësuar lartë organizimin e këtij debati, për të cilin është një mundësi shpresëdhënëse për t’i paraqitur faktet në tryezë.

Ambasadori amerikan thotë se është e gabuar që shënjimi i kufirit të bëhet në bazë të hartave të viteve të 50-ta, pasi sipas tij, tani bëhet fjalë për dy shtete sovran.