MPB deklarohet për humbjen me austriakët (Video)

29.07.2016 15:17:49

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë dal me një qëndrim rreth humbjes së Republikës së Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit ndaj kompanisë austriake “OeSD”. Sipas  tyre, vendim i gjykatës ndërkombëtare do t’i nënshtrohet procedurës së njohjes nga ana e strukturave gjyqësore në vendin tonë.  Gazmend Nushi, avokati i cili përfaqëson MPB-në, dha detaje rreth çështjes së pasaportave, me të cilin vendi ynë është i detyruar t’ia paguaj kompanisë austriake rreth pesë milion euro.

“Për t’i eliminuar disa kundërthënie që janë paraqitur në medie të ndryshme them se ky vendim i arbitrazhi në kuptimin e procedurës nuk mund të ankimohet në ndonjë instanc më të lartë. Por nisur nga Konventa e New York-ut, Ministra e Punëve të Brendshme do ta nis procedurën për anulimin e këtij vendimi. Poashtu duhet pritur edhe inicimin e procedurës për njohjen e këtij vendimi.  Fjalën përfundimtare do ta jep gjykata kompetente vendore. Afati 14 ditor është keqkuptuar nga media sepse ky vendim i tillë çfarë është për momentin i nënshtrohet të njohjes së instancave vendore të gjykatave në Kosovë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi tha se janë duke pritur që në dorë ta kenë vendimin origjinali “Sigurisht se vendimi i arbitrazhit është çështje serioze dhe është betejë e komplikuar ligjore.  Andaj çdo veprim ose informacion shtetësi në momentin e përshtatshëm do ta din”, ka thënë ai.