MPJ e Shqipërisë: Hap historik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni

07.01.2017 15:56:19

Pas mbështetjes të marrëveshjes së përbashkët nga partitë shqiptare në Maqedoni, të inicuar nga Kryeministri Rama, është deklarauar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë që e ka quajtur ”Hap historik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni”, shkruan Telegrafi Maqedoni.

”Shqipëria ka ndjekur me vëmendje të posaçme zhvillimet në Maqedoni duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë, shkëmbyer mendime, ide e analiza për të qendruar më pranë dhe kuptuar sa më mirë dinamikat e zhvillimeve. Rezultati i zgjedhjeve të 11 dhjetorit i ka vënë partitë shqiptare në një pozicion vendimtar për krijimin e shumicës së ardhshme dhe institucioneve që do të dalin prej tyre. Kjo kërkon një reflektim serioz dhe me sa më shumë qetësi e maturi për zgjedhjet që do të bëjnë.”

”Kemi inkurajuar dhe do të vijojmë të inkurajojmë gjithnjë aktorët shqiptarë për të qenë të përgjegjshëm në mbështetje të zhvillimeve demokratike e progresiste në këtë vend. Mbetet në gjykimin dhe lirinë e tyre për vendimet që do të marrin, aleancat që do të lidhin apo alternativat që do të ndërtojnë. Ajo për të cilën kemi qenë gjithnjë të interesuar është të kuptuarit e rëndësisë së momentit nga aktorët shqiptarë në Maqedoni pasi rezultati zgjedhor e ka bërë të qartë se të dy komunitetet në Maqedoni u kanë kërkuar aktorëve politikë respektivë një kontratë të re për vendin. Maqedonia ka nevojë për një shumicë qeverisëse solide, të qendrueshme e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza duke ndërmarrë një proces reformash që do të rinxisin procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik. Prandaj ne kemi kërkuar dhe punuar për një platformë gjithëpērfshirëse të partive shqiptare në mënyrë që shumica e ardhshme të jetë e qendrueshme dhe t’i ofrojë vendit një program të ri, ambicioz që zhvillon e forcon më tej kohezionin social dhe karakterin shumëetnik e kulturor të Maqedonisë.”

”Hapi historik i bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni përbën një moment pjekurie politike, në të njëjtën kohë nevojë urgjente e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Republika e Shqipërisë mbështet këtë deklaratë si një kornizë e përbashkët veprimi e faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni.
Shqipëria ka qenë dhe vijon të jetë e interesuar për një Maqedoni stabël, funksionale, demokratike dhe të kyçur në rrjedhat euro-atlantike, si dhe do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë në funksion të këtij objektivi.” shkruan MPJ e Shqipërisë në ueb faqen e tyre në shkrimin me titullin ”Mbi ndihmesën vellazërore të Shqipërisë në pozicionimin e partive politike shqiptare në Maqedoni”.