MPJ: Kosovarët, që ndodheshin në autobusin e djegur, janë shëndosh e mirë

04.03.2018 16:57:18

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka njoftuar se shtetasit kosovar, të cilët pasditen e djeshme ndodheshin në autobusin që po qarkullonte nga Gjermania për në Kosovë dhe kishte marrë flakë afër kufirit Kroaci-Serbi janë shëndosh e mirë dhe pritet të nisen shpejt për në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është njoftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, se një autobus i linjës Gjermani-Kosovë, i cili po transportonte shumicën e udhëtarëve nga Kosova, kishte marrë flakë në rrugë e sipër dhe përderisa ndodhej rreth 30 km në afërsi të kufirit shtetëror Kroaci-Serbi (në pjesën kroate, thuhet në njoftimin e MPJ.

“Ministria e Punëve të Jashtme nga informacionet e pranuara nga kontaktet me autoritetet policore atje, konfirmon se nuk ka asnjë qytetarë të lënduar dhe çdo gjë është në rregull, duke përfshirë dokumentacionin e tyre”.

“Ministria e Jashtme është njoftuar, gjithashtu se për momentin, të gjithë shtetasit e Kosovës janë në një vend të sigurtë, respektivisht në Qendrën e Kryqit të Kuq në afërsi të kufirit, përderisa autobusi tjetër është në rrugë e sipër dhe pritet që të arrijë në çdo moment për t’i marrë ata dhe transportuar për në Kosovë.

Për këtë çështje, Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me kompaninë përgjegjëse transportuese.

Autoritetet kroate tashmë kanë filluar hetimet në lidhje me shkaqet e zjarrit”, thuhet në njoftim.