Muhamet Mustafa, një rrëfim për jetën që rrëfen Kosovën

14.10.2016 22:52:31

U promovua sot në Universitetin Europian i Tiranës libri “Kapërcimi i vetmisë” me autor Muhamet Mustafa dhe parathënie nga Adrian Civici dhe Bardh Rugova, botim i UET-press

Muhamet Mustafën në Kosovë e njohin si ish-ministrin e kohës së Titos, që kur ishte çështja e minierës së Trepçës, tha “jam me minatorët, jo me Qeverinë”. Ndërsa sot ai është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe drejtues i Institutit “Riinvest” për Hulumtime Zhvillimore.

Mustafa ka ardhur për lexuesin shqiptar me një botim të veçantë nga UET-Press, një rrëfim për jetën e tij që nis që në shekullin e kaluar, një rrëfim që sjell dhe historinë e Kosovës në të gjitha ngjyrat e saj. Libri “Kapërcimi i Vetmisë” u promovua sot në Universitetin Europian të Tiranës, ku miq e bashkëpunëtorë të tij e vlerësuan librin si një burim dokumentor për historinë e Kosovës nëpërmjet rrëfimit të tij personal.

Rrëfimi personal si rrëfim për lindjen e një shteti

Muhamet Mustafa  kishte si qëllim të shkruante historinë e jetës së tij, kur larg prej vendlindjes, në bregdetin e Shëngjinit nisi të shkruante librin, por përmes këtij rrëfimi ne lexojmë historinë e lindjes së një shteti, Kosovës.

“Nëse do të njohësh historinë e një vendi, mjafton të lexosh një libër me kujtime të një personaliteti të shquar të atij vendi dhe në këtë rast libri i Mustafës është një rast tipik për të njohur historinë e Kosovës”, tha Adrian Civici, president i UET-it, i cili ka pasur rastin ta ketë bashkëpunëtor dhe mik Mustafën.

Civici e cilëson Mustafën një personalitet shumëdimensional, i cili në librin e tij sjell vetë historinë e Kosovës, aktualen dhe të kaluarën, në detaje të vogla në dukje, por mjaft domethënëse në përmbajtjen dhe efektin e tyre, në një kombinim mes jetës dhe historisë personale apo familjare me vetë jetën e Kosovës. “Besoj, se sidomos brezi i ri në Kosovë dhe Shqipëri, ka nevojë ta njohë më mirë këtë histori, sepse ajo mbart, brenda vetes, një nga kohët më sfiduese dhe të ngarkuara të historisë sonë kombëtare”, shprehet Civici.

Më tej studiuesi nga Kosova, Bardh Rugova e vlerësoi këtë libër pikërish për dualitetin e rrëfimit që nëpërmjet dimensionit personal sjell historinë tjetër më të madhe, atë të Kosovës.

“Libri “Kapërcimi i vetmisë” i Muhamet Mustafës është, në thelb, historia e dekadave të fundit e Kosovës, treguar në mënyrë subjektive, por të sinqertë nga një protagonist i drejtpërdrejtë dhe i angazhuar i shumë ngjarjeve të rëndësishme të jetës publike dhe intelektuale në periudha të ndryshme të ndërtimit të shtetit.

“Kapërcimi i vetmisë”, më shumë se për historinë, është një libër për të nesërmen. Kur lexuesi ta ketë përfunduar leximin, nuk do të ketë vetëm një perspektivë fort të afërt e personale të jetës kosovare të dekadave të fundit, por do të mund të shtrojë pyetje të rëndësishme rreth së ardhmes të shtetit të ri.

Për krijimin e shtetit të Kosovës është punuar me shumë sakrificë nga shumë breza të tërë. Brezi i liderëve të tashëm dhe brezat e ardhshëm duhet t’i kenë parasysh ato sakrifica, derisa i japin formë ardhmërisë së shtetit të ri”, shkruan në parathënien e librit, Bardh Rugova.

Vetmia, si vetmi individuale dhe kombëtare

Vetë autori gjatë promovimit foli mbi zgjedhjen e titullit. “Ky është një titull letrar, ndërsa libri im nuk është një stil letrar”, tha ai, “por kapërcimi i vetmisë ka një kuptim më të gjërë se sa vetëm personal”.

“Ne shqiptarët kemi qenë për shumë kohë të vetmuar, kemi bërë aleanca të gabuara e problematike, me Kinën, me Rusinë, por e kemi kapërcyer vetminë kur gjetëm aleancat e duhura, ato perëndimore”, tha në fjalën e tij Mustafa dje në UET.

Ai solli për të pranishmit disa momente të librit, që ishin në fakt kujtime të fëmijërisë së tij se si ishte njohur me Shqipërinë, për herë të parë kur kishte dëgjuar një këngë nga Radio Tirana, kur kishte parë Pogradecin që nga bregu i Ohrit në Maqedoni dhe kur kishte parë pikturën e shokut të klasës me Skënderbeun mbi kalë. Tani është vetë Mustafa që i prezantohet Shqipërisë me rrëfimin e tij./Mapo.al/