Muhaxheri: Suksesi në Pejë tregon që mund të jem edhe kryeministër

17.04.2018 22:11:10

Gazmend Muhaxheri, një prej njerëzve më me ndikim në LDK, e ka bërë publike dëshirën për të qenë i nominuar për kryeministër nga kjo parti.

Në një emision në T7, kryetari i komunës së Pejës thotë që deklarata e tij ditë më parë ka bërë shumë bujë, madje më shumë se bombardimet e perëndimit në Siri.

Muhaxheri ka thënë që fitorja e mandatit të dytë për komunën e Pejës me një rezultat të thellë tregon që ai është i suksesshëm dhe që do të mund të ishte i tillë edhe si kryeministër.

“Kam rezultatet të mira në Pejë. Atje çdo herë kam fituar pa balotazh. Kjo tregon se jam njeri i suksesshëm. Kjo edhe më jep besim që mund të jem kryeministër i Kosovës”, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka treguar edhe sonte se qëndron mbrapa deklaratave që i ka dhënë ditë me parë.

“Po, unë edhe sonte besoj që jam njëri potencial për kryeministër të Kosovës. S’kam pse me pas dyshime. E kam thënë atë çka e kam menduar dhe çka mendoj se mund ta arrij.”

Kohët e fundit në LDK kanë dalë në pah ambiciet e disa personave të cilët kanë shprehur dëshirën për t’u bërë kryetar të partisë, e disa kanë thënë që mund të jenë të nominuar për kryeministër nga partia.