Mungesë kuorumi, nuk miratohet raporti për gjendjen e mjedisit në Kosovë

09.02.2018 14:21:04

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës së sotme parlamentare kanë diskutuar për raportin e vitit 2016, të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi gjatë diskutimit në Kuvend tha se ligjet për mbrojtjen e mjedisit duhet të zbatohen dhe Kuvendi duhet të merr masa.

“Nëse ky Kuvend nuk ndërmerr asnjë hap për implementimin e këtyre ligjeve dhe për kontrollin e institucioneve përgjegjëse në këto ligje kemi disa masa të rëndësishme atëherë do të votojmë vetëm për raport por unë frikësohem se vitin e ardhshëm do të diskutojmë prapë për këtë gjendje”, tha Kurteshi.

Ai foli edhe për zhurmat të cilatparaqiten nëpër qytetet më të mëdha në Kosovë, të cilat paraqesin shqetësim për qytetarët sidomos në sezonin e verës.

“Kemi edhe shumë zhurmë në qytetet e mëdha të Kosovës, sidomos gjatë verës ku shumica e qytetarëve nuk mund të flenë për shkak të zërit të lartë të muzikës”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti foli në emër të Grupit Parlamentar, ku tha se e përkrahin raportin me rekomandime për vitin 2016.

“Të marrin masa serioze dhe të menjëhershme. Kemi obligim që të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Hoti.

Ai gjithashtu tha se në këtë periudhë kohore do duhej të diskutonin për raportin e gjashtë mujorit të fundit të 2017-së, e jo raportin e 2016.

Edhe deputeti i Nisma për Kosovës Enver Hoti, mbështeti këtë raport duke thënë se gjendja e mjedisit është e rëndë.

“ Degradimi që po ndodh në mjedis bart pasoja të rënda për shëndetin dhe pasoja afatgjate”, tha Hoti gjatë seancës parlamentare.

Ndryshe, votimi për raportin e vitit 2016 nga Agjencia  për Mbrojtjen e Mjedisit është shtyrë për seancën e radhës e cila do të mbahet të martën.

Në mungesë të kuorumit seanca përfundoi, ndërkaq seanca e radhës është të martën.