Mungojnë dëshmitarët, shtyhet gjykimi për vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaçit dhe Bilgin Ersojit

14.03.2017 17:54:13
Shqyrtimi gjyqësor ndaj Eshref Shemallarit dhe djalit të tij Ejup Shemallari, të akuzuar për vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaqit dhe Bilgin Ersojit, është shtyrë sepse kanë munguar dy dëshmitarët e ftuar për këtë seancë. Një nga dëshmitarët e paraparë për t’u dëgjuar në shqyrtimin e të martës ishte babi i të pandehurit Eshrefit, Ejup Shemallari, ndërsa tjetri familjari i të njderit Ferdi, Xhevat Shishko.

Prokurori i rastit, Genc Nixha ka thënë se për dëshmitarin Ejup Shemallari, ka informata se gjendet për shërim në Gjermani, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet në mënyrë që i njëjti të vijë e të dëshmojë rreth raporteve momentale në mes të familjeve në konflikt.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi, ka kërkuar ndihmën e gjykatës, që të sigurojë adresën e saktë të dëshmitarit të tyre, Xhevat Shishko, në mënyrë që të zhvillohet procedura në mënyrë normale.

Poashtu avokati Halimi, u ka dorëzuar trupit gjykues dhe prokurorisë, dokumentacionin e policisë mbi të kaluarën kriminale të të ndjerëve, Ferdi Shishkos, Haki Thaqit dhe Bilgin Ersojit, dhe ka kërkuar që të administrohet si provë. Halimi ka thënë se kjo do të vërtetojë gjendjen psikike të të akuzuarit të tij, para se ta kryejë veprën penale dhe duhet të merret parasysh në momentin  e vlerësimit të gjendjes dhe rrethanave në të cilat është kryer krimi.

Ndërsa avokati Betim Shala, i cili e mbron të akuzuarin Ejup Shemallari, ka thënë se nga foto-dokumentacioni i ekspertizës forenzike nuk vërehet se i mbrojturi i tij të ketë pasur armë në dorë.

Trupit gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar kërkesat e prokurorit dhe mbrojtjes për ri-thirrjen e dëshmitarëve Ejup Shemallari dhe Xhevat Shishko për seancën e radhës. Ndërsa ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për administrimin e të kaluarës kriminale të viktimave duke e arsyetuar se nuk ka bazë ligjore.

Seanca e radhës është caktuar për 10 maj 2017, në ora 09:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i ngarkon Eshref dhe Ejup Shemallarin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas organit të akuzës, Eshrefi dhe Ejupi, pas një historie të gjatë konflikti, kishin qëlluar për vdekje me armë automatike dhe pistoletë, viktimat Shishko, Thaqi dhe Ersoji.

Në shqyrtimin fillestar Eshref Shemalallri ka deklaruar se vet e ka kryer veprën, pa ndihmën e të birit Ejup. Poashtu edhe Ejupi nuk ka pranuar veprën e armëmbajtjes pasi që sipas tij, ai nuk ka pasur armë dhe nuk ka qëlluar në viktimat.

Të akuzuarit në fjalë, pas rastit të atentatit në viktima, për disa ditë, kanë qenë të arratisur e më pas janë dorëzuar./