Murtezaj: Njohja e Kosovës nga Greqia është më afër

21.09.2016 20:41:57

Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Kosovës dhe disa resorëve të tjerë të Qeverisë së Kosovës po qëndron në vizitë zyrtare në Athinë.

Delegacioni i kryesuar nga zëvendësministri Valon Murtezaj është pritur nga zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Madras. Murtezaj tha se vetë pritja e delegacionit të MPJ-së e ka kuptimin shumë domethënës që të dy vendet po avancojnë në raportet mes tyre.

Avancimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë ishte temë e bisedës së delegacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, i kryesuar nga zëvendësministri Valon Murtezaj, me homologun e tij grek, Dimitris Mardas. Në një bisedë për Radio Kosovën, Murtezaj tha se takimi me zëvendësministrin e jashtëm grek, ishte në një klimë tepër të mirë, ku u biseduan shumë gjëra që kanë të bëjnë me avancimin e raporteve ndërmjet dy vendeve në të gjitha dimensioned, ku bashkëpunimi ekonomik ishte një prej temave kryesore.

“Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Greqia mund ta ndihmojë Kosovën në proceset që lidhen me MSA-në, pastaj në shkëmbimet tregtare, për shkak se jemi fqinjë dhe jemi afër dhe siç e dimë, çelësi i të gjitha zhvillimeve dhe avancimeve të të gjtiha proceseve, është thellimi i bashkëpunimit ekonomik. Pastaj ambienti politik thellohet dhe avancohet”, tha Murtezaj për Radio Kosovën.

Duke avancuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, Murtezaj thotë se edhe njohja e Kosovës nga ana e Greqisë është më afër.

“Në vitet e fundit ka pasur avancime në raportet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, natyrisht që mbetet aspekti kryesor që ne e presim me padurim, njohjen e shtetit të Kosovës, por duke u krijuar këto parakushte fillimisht mbesim  me besim dhe presim shumë që Greqia do të bëjë lëvizjen e duhur në një moment të ardhshëm”, tha Murtezaj.

Çështja e njohjes së Kosovës nuk është përmendur në takimet e delegacionit të Kosovës në Athinë, por, zëvendësministri Murtezaj theksoi se gjatë takimeve është diskutuar edhe për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, si bashkëpunimit ekonomik, politik, e po ashtu edhe bashkëpunimi në fushën e integrimeve rajonale dhe evropiane.