Musa Ulqini i “Zërit të Popullit”, shpjegon ligjin anti-shpifje për portalet

18.12.2019 18:49:48

Për ligjin anti-shpifje, të propozuar nga qeveria, ditët e fundit kemi parë në ekrane disa figura politike që e mbrojnë me fanatizëm. I tillë është ligjvënësi Musa Ulqini, i cili jo vetëm nuk njeh median, por ai bëhet lëmsh edhe termat.

Kjo u pa edhe gjatë një debati në Opinion, ku performanca e Musa Ulqinit, ishte e dobët, pa përvojë dhe pa argument. Përvoja e vetme mediatike e Ulqinit është “Zëri i Popullit”, në të cilat është prezantuar me disa shkrime të rëndomta që nisin në vitin 1983 e vijojnë deri në vitin kur gazetaria e lirë filloi të lëvrohet në Shqipëri.

Sipas Ulqinit, duhen identifikuar pronarët e portaleve. Ndoshta nuk e di ky ligjvënës që portalet kanë NIPT dhe janë të regjistruar sipas legjislacionit në fuqi. Sigurisht mund të ketë edhe ndonjë që nuk i është përgjigjur ligjshmërisë, por kjo nuk mund të jetë shkak për të ndërmarrë një paketë, që Ulqini të paktën nga deklarimet në media nuk është në gjendje as ta kuptojë.

Edhe për kontratat apo sigurimet e gazetarëve, që zoti Ulqini e ngre si shqetësim ka të tjerë mekanizma rregullues për këtë, që është Drejtoria e Tatimeve.

Deputeti nga Shkodra me banim në Tiranë, i zgjedhur si përfaqësues i popullit në qarkun e Elbasanit, konkretisht në zonën e Belshit, ka shumë kohë që i është larguar zanatit tonë.

Media në Shqipëri ndoshta nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm, por që ka pësuar shumë ndryshime vitet e fundit, diktuar edhe nga zhvillimi teknologjik.

Këto ndryshime, Ulqini nuk i ndjek dot, pasi deri më sot ai nuk mbahet mend për gjë, përveçse kur Fatos Nano e pagëzoi me nofkën “lavatriçja” e Partisë Socialiste, në vitin 2003, në KPD-në e famshme