Mushkolaj: Thaçi u tërhoq, sepse loja e tij nuk po kryente punë

01.02.2018 20:32:42
Njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj, po mendon se loja e presidentit të vendit Hashim Thaçi me Gjykatën Speciale, mori fund dëshpërueshëm

Sot i pari i vendit në një konferencë me gazetarë tha se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet dhe “është qëndrim shtetëror”.

Mushkolaj tha për lajmi.net se Thaçi nuk ia arriti qëllimit që kishte dhe për këta arsye u tërhoq nga iniciativa për ts shfuqizuar Gjykatën Speciale.

“Prej fillimit e kemi quajtur si lojë të presidentit dhe si një lloj pazari në kuptimin e forcimit të pozicionimit të tij karshi veprimeve të mundshme të  Gjykatës Speciale. Edhe kjo po vërtetohet tash, se edhe kur për herë të parë foli kundër Speciales ai na tha se momentin kur ishte miratuar, kishte marrë premtime se do të kryheshin një varg veprimesh premtimesh për të mirë të Kosovës, duke nisur prej liberliaizmit, anëtarësimit të Këshill të Evropës dhe në UNESCO, dhe atëherë, unë të paktën e kam konsideruar si një lloj pazari që ai e ka bërë për miratimin e Speciales. E kjo loja e tij po duket, nëse është për t’i besuar deklaratës së tij, se po merr fund dëshpërueshëm për shkak se nuk ia arriti qëllimin e vet, dhe nuk e arriti pazarin, mos të paragjykoj, por pazarin e pretenduar karshi Speciales, sepse kjo vetëm për shkak të reagimeve edhe brenda vendit dhe jashtë ishin shumë të ashpra dhe rrallë herë kemi parë njëfarë bashkimi të mendimit të njerëzve dhe qytetarëve të Kosovës në çfarëdo forme rreth kësaj çështje sikur se ka ndodhur me Specialen”, tha Mushkolaj për lajmi.net.

Mushkolaj po konsideron se Thaçi e ka kuptuar saktë çka ka dashur të bënte, por nuk e kishte pranuar se ka gabim dhe loja e tij nuk po kryente punë.

“Unë besoj se ai e ka kuptuar, edhe pse nuk është se nuk ka ditur ta kuptojë, por edhe me deklarata që i vazhdoi e krijojë përshtypjen se ka të qartë por nuk po donë ta pranojë. Por më në fund e ka kuptuar se çështja është shumë serioze. Dhe njësoj si e kanë mbështetur SHBA-të për një kohë të gjatë, neve na kujtohet deklarata kur zv/presidenti i SHBA-së e quante Gjorgj Uashingtoni i Kosovës, njësoj kërkojnë prej tij që t’i qojë obligimet ndërkombëtare që i ka marrë pavarësisht se vet mund të jetë subjekt i procedimit. Po besoj që e ka kuptuar se tentimi është i kot dhe situata është aq serioze saqë loja e tij në fakt nuk kryen punë”, tha Mushkolaj.

Për Mushkolajnë, veprimi i Thaçit do të ishte harakiri (vetëvrasje e lashtë japoneze), nëse do ta vazhdonte të tentonte ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, por më shumë sipas tij, do të ishte për qytetarët e Kosovës.

“Më tepër se sa në jetën e tij politike, harakiri do të ishte për qytetarët e Kosovës, por natyrisht se këtë lojë e bëri për interesa personale, të cilat i vendosi mbi interesa të qytetarëve të Kosovës. Shfuqizimi, meqenëse është bërë një dëm, nëse nuk shkon tutje, që prapë mund të shkoj, sepse deklaratat fatkeqësisht, të presidentit apo qoftë të dikujt tjetër, duhet të marr me rezerva, megjithatë nëse nuk shkon tutje është parandaluar një dëm më i madh që kish mundur t’i bëhej shtetit të Kosovës dhe shoqërisë”.

Në Kuvend të Kosovës u nis një iniciativë nga deputetët e PDK-së, AAK-së, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Më pas ambasadorët e shteteve mike të Kosovës e konsideruan shumë shqetësuese këtë iniciativë dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie e quajti thikë pas shpine për Amerikën këtë iniciativë.