Mustafa, deputetëve të LDK-së: Respektojeni vendimin e partisë, votojeni Demarkacionin

12.04.2017 19:17:06

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka rikonfirmuar qëndrimin pro ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi dhe liberalizimit të vizave.

“Ne diskutuam dy çështje që janë aktuale atë të përgatitjes së LDK-së për zgjedhje, dhe çështjen e qëndrimeve politike të LDK-së lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi dhe liberalizimin e vizave. Kishte diskutime të deputeteve dhe anëtarëve të Këshillit. Si LDK ne kemi pas qëndrimet tona në përkrahje të plotë të Demarkacionit dhe vizave”, deklaroi Mustafa, raporton “Zeri.info”.

Tutje ai ka thënë se pret që deputetët kundërshtues të demarkacionit brenda partisë së tij, ta respektojnë vendimin e LDK-së për këtë çështje.

“Sot edhe njëherë kërkova rikonfirmimin e këtij qëndrimi dhe këshilli i përgjithshme me shumicën absolute të votave ka votuar për qëndrimin politik për liberalizim dhe Demarkacionin. Natyrisht ne nuk i detyrojmë deputetët, por të gjithë ata deputetë që respektojnë LDK-në, do të respektojnë këto vendime. Pres nga deputetët duhet që të respektojnë partinë që i ka pru në Kuvend, sepse nuk janë deputetë të pavarur por deputetë që duhet të përfaqësojnë politikat e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Mustafa nuk ka dhënë datë se kur do të procedohet demarkacioni në Kuvend, duke shtuar se kjo do të bëhet pas konsultimeve me PDK-në dhe Listën Serbe.