Mustafa konfirmon pjesëmarrjen në takimin e kryeministrave që mbahet në Durrës

25.08.2017 12:13:07

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 26 gusht në Durrës.

Në këtë takim do të diskutohet për thellimin e integrimit rajonal dhe me fokus në ekonomi dhe tregti.

Pjesëmarrjen në këtë takim Mustafa e ka konfirmuar në një konferencë për media ku LDK, ka prezantuar zyrtarisht Arban Abrashin kandidat për kryetar të Prishtinës.

Veprimtaria njëditore e këtij takimi të do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale. Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.

Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.

Në këtë takim do të marrin pjesë Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviçm, si dhe Komisioneri Johannes Hahn dhe Z. Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore./