Mustafa: LDK është kundër të gjitha veprimeve që e kthejnë vendin tek rezoluta 1244

23.12.2017 13:22:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partia që drejton nuk e ka kërkuar Gjykatën Speciale, por e kanë kërkuar ata që sot po e kundërshtojnë.

Këto komente Mustafa i bëri gjatë shënimit të 28 vjetorit të themelimit të kësaj partie, ku tha se do të kundërshtojnë çdo veprim që na kthen tek rezoluta 1244.

Ai shtoi se LDK së shpejti do të udhëheq Kosovën dhe kjo falë programit dhe mbështetjes së qytetarëve të Kosovës.

Mustafa ka deklaruar se sivjet 28 vjetorin e themelimit të tyre po e shënojnë si partia e parë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Mustafa tha se për të gjithë veprimtarët që u vranë u kanë borxh për të ndriçuar të gjitha rrethanat e vrasjeve, pasi drejtësia është detyrim jo vetëm për familjarët dhe LDK-në por edhe për shtetin e Kosovës.

Ai tha se LDK në këtë mandat është përcaktuar të jetë opozitë e fuqishme dhe do të punojmë për fuqizimin e LDK-së.

Mustafa foli edhe për zhvillimet e mbrëmshme në vend, ku tha LDK është kundër të gjitha veprimeve që e kthejnë vendin tek rezoluta 1244.

“Vendi ynë dje u ballafaqua në hapa të nxituara për dhomat e specializuara. LDK dhe grupi ynë vlerësoi se çështje jetike për vendin duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitin dhe drejtësia duhet të vihet për të gjitha pa dallim dhe ne nuk shohim asnjë arsyeje për shfuqizim të këtij ligji. Ne do kundërshtojnë çdo veprim që na kthen tek rezoluta 1244. LDK nuk ka kërkuar themelim të kësaj gjykata, ne kemi kërkuar drejtësi dhe atë e kanë kërkuar ata që sot po e kundërshtojnë”, tha ai.

Në këtë manifestin të pranishëm ishin edhe familjarët e liderit themelues të kësaj partie, Ibrahim Rugova.