Vëllezërit e ish-policit Artan Cuku dëshmojnë në polici: Pista që dyshojmë se lidhet me vrasjen

09.04.2017 20:49:24

Vëllezërit e ish-zyrtarit të policisë Artan Cuku që u ekzekutua dje, kanë dëshmuar në polici për të ndihmuar në hetime.

Vëllezërit kanë këmbëngulur që hetimet të përqëndrohen në pistën e hakmarrjes për shkak të punës së Artan Cukut kur ishte ende në radhët e Policisë së Shtetit përpara vitit 2014.

Vëllezërit e viktimës kanë pretenduar se Artan Cuku nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim për ndonjë përplasje të mundshme në lidhje me biznesin e tij aktual të policisë private, ndërsa ngulin këmbë se nuk ka konflikte personale.

“Kemi prej 2 vitesh që jetojmë në këtë pallat dhe nuk kemi pasur as incidentin më të vogël. Jo vetëm në jetën private por edhe në punë s’kemi pasur konflikte. Nuk e kemi idenë si dhe kush mund të jenë autorët”, kanë sqaruar ata para policisë.

Ngjarja ku është fokusuar së tepërmi vëmendja e hetuesve, është ajo e vitit 2005 kur Artan Cuku mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatit nr.4 në Tiranë. Gjithçka nisi kur në ambientet e këtij komisariati është shoqëruar Agim Daka nga Tropoja për t’u pyetur nëse kishte dijeni mbi arratisjen e vëllait të tij Bujar Daka, së bashku me dy të tjerë nga ambientet e paraburgimit në Shkodër.

Megjithatë, vëllezërit e viktimës përjashtojnë që ekzekutimi të ketë lidhje me vetëvrasjen e Agim Dakës. Sipas tyre, të afërmit e Dakës janë betuar se kjo çështje është mbyllur dhe se kanë dhënë fjalën që nuk do të hakmerreshin për të.

Gjatë marrjes në pyetje, Agim Daka i rrëmbeu armën nga brezi Shefit të Krimeve dhe vrau veten. Për këtë ngjarje, si në aspektin ligjor ashtu edhe me kanun, familja Cuku dhe Daka e kishin mbyllur historinë mes tyre si ngjarje aksidentale.

Policia ka shoqëruar 11 persona kur kanë kaluar 24 orë nga atentati dhe mes tyre dyshohet se është një nga vrasësit.