Mustafa: LDK jo parti populiste, por u shërben interesave afatgjata të vendit

23.06.2017 15:43:10

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur lidhur me qasjen e analistëve dhe të shoqërisë civile ndaj LDK-së, e që duan t’ia shohin fundin.

Megjithatë, z. Mustafa thotë se LDK po rigjenerohet.

Ky është postimi i plotë i z. Mustafa:

Me siguri mund të them se nuk ka subjekt politik, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet që e kanë kaluar tranzicionin, që tërhoqi dhe tërheq vëmendjen siç është Lidhja Demokratike e Kosovës. Parti që hyri në vitin e 28-të të veprimtarisë së saj.
Kundërshtarët dhe disa të vetëquajtur analistë politikë, luten t’ia shohin fundin e ajo vetëm sa rigjenerohet.
Publicistë të caktuar e disa drejtues të shoqërisë civile u përpoqën e po përpiqen të diktojnë se kush sipas tyre duhet të drejtojë LDK-në, e LDK u thotë se ata duhet të presin në rend, të aktivizohen në nëndegë, të propozohen nga degët në Kuvendin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme. LDK është e hapur për opinione të ndryshme, por LDK vendos vet. Askush nuk mund të merr vendime për LDK-në.
LDK mëson nga votat e qytetarëve, por LDK e ka të qartë se ajo nuk është parti që shërbehet me popullizëm, por se ajo ka një histori të pasur të një partie prijëse shtetformuese. Rrjedhimisht, as votat e bazuara në popullizëm nuk e ndikojnë vendimmarrjen në LDK.
Synimet tona janë afatgjata, kurse efektet e popullizmit janë afatshkurtëra, ato u shërbejnë individëve por jo edhe vendit dhe LDK-së.