Mustafa: Në Istog kanë votuar me postë njerëzit e vdekur

23.11.2017 17:20:37

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas ndryshimit të rezulatëve sa i përket garës për të parin e Istogut.

Numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë ka bërë që tash të prijë kanidati i AAK-së, Gani Dresha ku deri më tash i pari ishte Haki Rugova i LDK-së.

Por Isa Mustafa me anë të një postimi në facebook ka thënë se kanë fakte për manipulim të zgjedhjeve në këtë komunë. Ai ka thënë se kryetar i Istogut është Haki Rugova dhe mos të mashtrohet kush se Dreshaj është kryetar, shkruan lajmi.net.

“Haki Rugova është Kryetar i Istogut. Kemi argument të mjaftueshme për keqpërdorime që janë bërë me votat me postë për Istogun. Kanë votuar njerëzit e vdekur, i kemi fotot e varrezave të tyre, vëzhguesit kanë vërtetuar pliko të njëjta për të gjitha postimet, printer të njëjtë dhe letër të njëjtë. Janë falsifikuar identitetet e votuesve. Këto fakte do t’ia ofrojmë PZAP-it dhe Prokurorisë së shtetit. Prandaj mos u mashtroni se ka fituar Gani Dreshaj”, ka shkruar Mustafa.

Gani Dreshaj pas numërimit të votave ka dalë para Haki Rugovës me 671 vota, aq sa kishte Rugova para numërimit të votave me kusht e postë.