Mustafa: Sillni faktet, duhet të na bashkojnë argumentet

03.08.2016 11:22:31

Ka filluar debati për demarkacionin me Malin e Zi

Ekspertë, deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të partive politike janë mbledhur në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar në lidhje me Demarkacionin me Malin e Zi.

Me këtë rast kryeministri i vendit Isa Mustafa e ka konsideruar si historik procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Ky është proces historik për vendin tonë, konsiderojmë se shënimi i kufirit krijon kushte per marëdhënje stabile me fqinjët tanë”, u shpreh Mustafa.

Mustafa ka thënë se është shprehur vullneti i qytetarëve për caktimin e kufinjëve të Kosovës

“Në pikën e  parë të deklaratës së pavarësisë jemi zotuar që të pasqyrojmë vullnetin e  popullit tonë andaj është shprehur vullneti  i  qytetetarëve tanë për mënyren e caktimit të kufinjëve të Kosovës. Fjala është vetëm për shndërrimin e vijës administrative me kufi ndërkombëtarë mes dy shteteve dhe jo siç është menduar” tha kryeministri.

Mustafa tha poashtu se nuk ka lëvizje të territorit siç është thënë si dhe kërkoi që të sillen fakte nëse është humbur ndonjë pjesë e territorit.

“Këtë territor qe e kemi pasur e kemi edhe sot prej vitit 1970 dhe Peja e ka atë që e ka pasur dhe nuk kemi lëvzije të territorit të komunës së Pejës siç është thënë. Ky proces është vullnet i dy vendeve dhe bëhet në akordancë ndërkombëtare. Nëse është humbur ndonjë pjesë e territorit sillni faktet. Duhet të na bashkojnë argumentet”, shtoi tutje ai.