Mustafa takime me zyrtarët e lartë të LDK-së për rritjen e unitetit dhe të rolit prijës të saj

11.04.2018 20:54:32

Pas kthimit nga Gjermania, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka zhvilluar takime me nënkryetarët e kësaj partie, z. Veliu, z. Haziri, z. Rugova, me sekretarin e përgjithshëm, z. Beqiri, dhe shefin e Grupit Kuvendor, z. Hoti me të cilët ka biseduar për zhvillimet në këtë parti dhe në vend.

Në një postim në facebook, z. Mustafa ka informuar se me zyrtarët e lartë të partisë ka biseduar për unitetin e LDK-së dhe për rolin prijës të saj në proceset në vend.

Ky është postimi i plotë i z. Mustafa:

Sot, gjatë ditës, pata takim me nënkryetarët e LDK-së, z. Agim Veliu, z. Lutfi Haziri dhe z. Haki Rugova.
Biseduam për shumë çështje të zhvillimeve në LDK, për aktivitetet në terren dhe forcimin e rolit prijës të LDK-së në proceset aktuale në Kosovë.
Nënkryetarët e LDK-së kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës sa isha në rehabilitim shëndetësor jashtë vendit dhe vazhdojnë me këto aktivitete, ndërkaq po forcohet uniteti brenda LDK-së dhe organeve të LDK-së.
Unë edhe për një periudhe do të kem nevojë t’i përkushtohem rehabilitimit fizioterapik në Kosovë.
Kam takuar, poashtu, edhe sekretarin e përgjithshëm të LDK-së, z. Ismet Beqiri si dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të LDK-së, prof. Avdullah Hotin, me të cilin kemi biseduar për proceset aktuale në Kuvendin e Kosovës.