Isa Mustafa: Vetë Hoti duhet të vlerësojë nëse do të vazhdojë takimin në Uashington

24.06.2020 21:29:34

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se është në dorën e kryeministrit Avdullah Hoti që të vlerësojë nëse dëshiron të vazhdojë takimin me Serbinë në Uashington, pa praninë e presidentit Hashim Thaçi, ndaj të cilit u ngrit aktakuzë nga Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Gjykatës Speciale.

Para mediave, Mustafa ka thënë se tani është një situatë e re dhe vlerësimin duhet ta bëjë vetë Hoti në konsultim edhe në raport me partnerët.

“Kryeministri do të vlerësojë vetë. Kemi situatë të re, dhe vlerësimin duhet ta bëjë vetë në konsultim edhe në raport me partnerët. Ka nesër takim me përfaqësues të BE-së e Komisionit Evropian. Për Uashington nuk e di sepse kemi rrethana krejtësisht të reja”, tha Mustafa

Ai po ashtu ka thënë se për LDK-në, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, luftëtarët e saj luftuan për të mbrojtur qytetarët dhe Kosovën, kundrejt gjenocidit të organizuar dhe terrorit të Serbisë.

“Për neve akoma informata nuk është e qartë sepse nuk ka dalë prej burimeve apo deklaratave të zyrtarëve të Gjykatës Speciale dhe nuk duam ta komentojmë. Ajo që mund të them është se për LDK-në, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, luftëtarët e saj luftuan për të mbrojtur qytetarët dhe Kosovën, kundrejt gjenocidit të organizuar dhe terrorit të Serbisë. Çdo gjë që ka të bëjë me cilësimin e terrorit, krimit duhet të drejtohet kah Serbia. Ne përkrahim plotësisht Gjykatën Speciale që të punojë e pavarur, por duhet ta cilësojmë ashtu siç e ndjejmë luftën e UÇK-së”, tha tutje Mustafa.