Myftiu Tërnava uron Fitër Bajramin: Të ndjekim rrugën e paqes dhe dashurisë

25.06.2017 09:59:04

Qindra qytetarë të besimit mysliman kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Ekrem Maqedonci.

Namazi i Fitër Bajramit është falë në ora 05:37, të cilit i ka prirë, Sabri Bajgora-kryeimami i BIK-ut.

 

Hytben e Fitër  Bajramit e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili më pas iu drejtua opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë.

Tërnava i ka uruar Fitër Bajramin gjithë qytetarët të besimit mysliman, duke kërkuar nga të gjithë që të largohen nga çdo punë e ligë dhe të shtrijnë dorën e pajtimit si dhe të përkujdesën ndaj të varfërve.

Ai ka kërkuar që të mbretërojë paqja e dashuria në gjithë vendin e po ashtu kërkoj nga politikanët që t’i lënë egot anash e të punojnë për vendin.

“O Zot të lutemi që në mesin e vëllezërve e motrave tonë kudo që ata gjenden brenda trojeve epike shqiptare apo në mërgatë të zbresë dashuria, respekti, mëshira, shtrirja e dorës me njëri-tjetrin, pajtimi në mes vete, gjithherë duke e madhëruar emrin tënd”, ka thënë ai.

Ternava ka thënë se një pjesë e madhe e botës islame sot përjetojnë një krizë të madhe morale e kulturore, krizë indentiteti, të shtyrë nga faktorë të ndryshëm dhe dashakeqët.

“Dashakeqët e njerëz të shitur, duke përdorur strategji të ndryshme, arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në emër të fes së pastër islame, mbollën paqartësi e urrejtje në mes besimtarëve, duke i shndërruar dhe keqinterpretuar parimet e pastra dhe të drejta islame në teza jo reale…Për ta ruajtur porosinë hyjnore dhe mësimin e Muhametit duhet ta ngrinim nga çdo kush që tenton t’i devijojë ato, duket të ngrisim zërin dhe të themi se islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që i mveshet islamit edhe sot nga ky vend i shenjtë u themi të gjithëve se një rrugë të vetme ka ajo është rruga e paqes, harmonisë dhe e respektit në mes njerëzve.  Askush nuk ka mundësi që të bëjë vetën të dashur të Allahu në ndonjë rrugë tjetër, është kusht dashuria dhe respekti ndaj Muhamdit Aleikun Selam”, tha ai.

Tërnava ka apeluar te të gjithë përfaqësuesit politik që të lënë anash interesat personale e partiake dhe të punojnë në të mirë të vendit e popullit.

“Në këtë ditë të festës apeloj me urtësinë e zemrës tek të gjithë faktorët politik e institucionet e vendit që të lënë anash interesat partiake, personale e grupore dhe të angazhohen seriozisht në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit e popullit, sepse para vetës kemi shumë sfida e shumë punë, që vendin ta bëjmë ashtu siç e dëshirojmë. Mirësia e zotit le ta përqafoj botën mbarë, tha Tërnava.

Ndryshe qytetarët e besimit mysliman pas një muaj agjërimi, sot festojnë Fitër Bajramin apo siç njihet ndryshe Bajrami i Madh.