Nagavci thotë se vaksinimi i mësimdhënësve është prioritet, nuk tregon kur do të realizohet një gjë e tillë

03.06.2021 16:08:24

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se e kanë prioritet vaksinimin e mësimdhënësve, megjithatë nuk dha një datë se kur do të realizohet një gjë e tillë.

Ajo tha se është Komiteti për vaksinim ai që do të bëjë publik gjithë planifikimin.

“Vaksinimi i mësimdhënësve është prioritet, por ju njoftoj se plani i vaksinimit, zbatimi i tij dhe komunikimi me publikun në lidhje me këtë plan është përgjegjësi e Komitetit për vaksinim. Ne jemi në kontakte, do të vaksinohen mësimdhënësit, por Komiteti për vaksinim do të bëjë publik gjithë planifikimin”, tha ajo.

Ndërkohë, që në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, seancë kjo që ka filluar rreth orës 10:00.