Shkup, fushatë kundër dhunës mes të rinjve (Video)

06.05.2017 19:14:03

Rade Radevski është maturant nga Shkupi dhe siç thotë ai ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve ku ka pasur dhunë mes bashkë moshatarëve. Sipas tij, një nga mënyrat që të largohet energjia negative është muzika.

“Kam qenë dëshmitar i dhunës mes bashkë moshatarëve. Mendoj se muzika është një nga mënyrat përmes së cilave mund të largohet energjia negative. Gjithashtu mendoj se edhe kriza politike ndikon shumë tek të rinjtë, veçanërisht viteve të fundit”, tha Rade Radevski, Maturant.

Dhuna mes bashkë moshatarëve apo siç njihet edhe si “bulling” është e pranishme nëpër shkolla, por nuk përfundon aty, ajo u ndodh fëmijëve edhe përderisa janë në shtëpi, nëpërmes rrjeteve të ndryshme sociale.

Hulumtimi tregon se në korniza botërore, mbi 20% nga nxënësit e klasës së pestë e deri në shkollë të mesme kanë qenë viktimë e “bulling”.

Grupe të ndryshme muzikore të shkollave të mesme dhe shumë njerëz të rinj të cilët përhapin energji pozitive ishin pjesë e kësaj kampanje. Organizatori i kësaj kampanje mendon se pedagogët duhet shumë më shumë të punojnë me fëmijët.

“Shoqata jonë “Motivues Inovativ” pa se ka nevojë për një projekt të tillë në Maqedoni. Për fat të keq pedagogët nuk po merren shumë me këtë problem. Sot do të promovohet pranimi i të gjitha dallimeve, një ditë do të shpërndajmë dashuri dhe do të jemi të gjithë të njëjtë, do të jemi të gjithë së bashku dhe do të shoqërohemi”, u shpreh Natasha Ivanovska, “Motivues Inovativ”.

Të dhënat për maltretime fizike dhe psikike mes moshatarëve janë shokuese. Në vitin 2015, sipas hulumtimit të bërë nga ana e organizatës “Motivues Inovativ” nga gjithsej 400 vetëvrasje të të miturve në Maqedoni, Shqipëri, Bulgari dhe Serbi 40% nga ato janë kryer për shkak të dhunës nga bashkë moshatarët e tyre.