NATO e shqetësuar nga shtimi i manovrave të Rusisë

29.08.2016 21:30:57

Zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, shtimin e manovrave ushtarake të Rusisë e cilësoi si një zhvillim shqetësues dhe faktor i shtimit të tensioneve në raportet NATO-Rusi.

Alexander Vershbow, duke folur në Bukuresht, deklaroi se Rusia i ka shtuar manovrat e paparalajmëruara dhe shtoi se NATO kërkon masa të reja në marrëveshjet ushtarake me Rusinë me qëllim që të rritet transparenca e veprimeve ushtarake të Rusisë në Evropë.

Zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se asnjëri nga anëtarët e NATO-s nuk ka kryer manovra të paparalajmëruara që të kujtojnë periudhën e luftës së ftohtë. Deklaratat e Vershbow bëhen në një kohë kur SHBA dhe disa vende të NATO-s po zhvillojnë manovra ushtarake në Detin e Zi, ndërsa Amerika dhe NATO po i shtojnë bazat ushtarake në vendet e Europës Lindore në afërsi të kufijve të Rusisë.