Ndalimi i Haradinajt, PD: Shqetësuese, Franca të sqarojë sa më parë situatën

05.01.2017 10:44:26

Partia Demokratike ka dënuar ndalimin e kreut të partisë kosovare të AAK, Ramush Haradinaj.

Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike u kërkon autoriteteve franceze të sqarojnë sa më parë këtë situatë, duke theksuar se procedura të tilla burokratike dhe rudimentare përjetohen me shqetësim në hapësirën mbarëshqiptare.

Deklarata e plotë

Ndalimi i sotëm në Francë i Rramush Haradinajt është një lajm shqetësues. Tronditës është fakti se ky ndalim është kryer me një fletarrestim të vitit 2004 të Serbisë dhe objekti duket se është aktiviteti i Rramush Haradinajt në luftën për çlirim të Kosovës.

Si zoti Haradinaj po ashtu dhe drejtues të tjere të UCK janë ballafaquar me dinjitet dhe janë vlerësuar të pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare në kohë të tjera. As Haradinaj dhe asnjë luftëtar i lirisë së Kosovës nuk i janë trembur e shmangur drejtësisë, madje kanë mirëpritur çdo lloj hetimi për të provuar pastërtinë e luftës për çlirim të Kosovës.

Partia Demokratike nderon luftën heroike të popullit të Kosovës dhe drejtuesve të saj për liri e pavarësi.
Partia Demokratike shpreh besimin se një drejtësi e pavarur europiane nuk mund të mos nderoje gjithashtu heronjtë e një populli në luftën për liri.
Partia Demokratike u kërkon autoriteteve franceze të sqarojnë sa më parë këtë situatë, duke theksuar se procedura të tilla burokratike dhe rudimentare përjetohen me shqetësim në hapësirën mbarëshqiptare pasi ato prekin një ndër faqet më krenare të historisë sonë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.