Ndalohen tre të dyshuar serbë në Jarinje, bartnin me vete 222 CD-ja lidhur me trazirat e marsit 2004

16.03.2018 11:02:09

Një automjet me të cilin po udhëtonin tre persona të dyshuar serbë është ndaluar mbrëmë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinje.

Në këtë automjet janë gjetur dhe konfiskuar 222 CD propaganduese që kishin lidhje me trazirat e marsit në vitin 2004.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.

“Njësitë policore gjatë kontrollit të veturës me të cilën ishin duke udhëtuar tre të dyshuar meshkuj serbë, kanë gjetur dhe konfiskuar 222 copë disqe (CD) në të cilat sipas të dyshuarve kishte incizime të ngjarjeve të marsit 2004”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se me urdhër të prokurorit disqet (CD-të) janë konfiskuar, kurse të dyshuarve u është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës.

Në marsin e vitit 2004 shpërthyen trazira në Kosovë gjatë të cilave vdiqën 11 shqiptarë e 8 serbë.