Ndalohet në vendet e BE-së, grekët zbulojnë gazin e rrezikshëm që vinte në Shqipër

19.06.2020 09:04:24

Policia greke ka sekuestruar në aksin Janinë-Athinë, një ngarkesë prej gati 3.5 tonë gaz frigoriferik, i cilësuar si tepër i rrezikshëm për ambientin.

Sipas policisë greke, ngarkesa me gazin e rrezikshëm ishte ngarkuar në një kamion dhe një furgon me targa shqiptare dhe ishte fshehur mes arkave të frutave.

Autoritetet greke thonë se kishin informacion për transportin e një sasie lëndësh kimike të rrezikshme, të llojit gaz freon R 22 dhe R 404,ndaj dhe pasi evidentuan mjetet në momentin që ato kaluan në doganën e Kakavijës i vunë nën vëzhgim për disa orë.

Në momentin e  ndalimit në kamion dhe në furgon u gjetën edhe dy drejtuesit e mjeteve, të dy shtetas shqiptarë, të cilët u arrestuan në kushtet e flagrancës.

Atyre iu gjet sasia prej 263 bombola gazi me peshë total 3439 kg,  5600 euro cash si dhe 4 telefona celularë.

Dyshohet se dy të arrestuarit në bashkëpunim me disa persona të tjerë të shpallur në kërkim importonin nëpërmjet Shqipërisë sasinë e gazit të kondicionerëve, i cili është konsideruar si tepër i dëmshëm për ambientin dhe ndalohet në vendet e Bashkimit Europian, por çuditërisht lejohet në vendin tonë. Përfitimet e organizatës llogariten në qindra mijëra euro në vit.

Dy mjetet e përdorura prej trafikantëve u sekuestruan, ndërsa dy trafikantët do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie.